Dy qiellgërvishtës të rinj dhe të lartë rreth 180 metra, të lidhur mbi majë nga një “pishinë qiellore” guximtare, do të ngrihen mbi Marina Marasi në Dubai, një ndër zonat më të njohura të qytetit. Ky projekt luksoz, i quajtur Regent Residences Dubai, do të ketë një vlerë totale prej rreth 1 miliard dollarësh dhe është i vendosur të përfundojë në vitin 2027.

Një nga elementet më mbresëlënëse të këtij projekti është pishina rreth 13 metra e gjatë, e cila do të lidhë dy kullat dhe do të ofrojë një pamje spektakolare mbi qytet dhe detin. Megjithatë, kjo pishinë e jashtëzakonshme nuk do të jetë e hapur për publikun, as për shumicën e banorëve të tjerë të këtyre kullave luksoze. Pishina do të jetë pjesë e një papafingoje ultra luksoze, që është një hapësirë ekskluzive për disa rezidenca të veçanta.

Regent Residences Dubai do të përfshijë gjithsej 63 apartamente luksoze. Papafingoja më e madhe përmban gjashtë dhoma gjumi, një palestër dhe një ashensor privat. Kjo hapësirë mbresëlënëse do të jetë një nga më të shtrenjtat në botë.

Në anën tjetër, apartamentet e tjera do të kenë një sipërfaqe më të vogël dhe secili do të zërë një kat të tërë. Çdo apartament është orientuar në mënyrë të tillë që të ofrojë pamje të shkëlqyera nga Marina Marasi dhe nga Burj Khalifa, ndërtesa më e lartë në botë, që ndodhet shumë pranë.

Për ata që mund të shqetësohen se do të humbin mundësinë për të shijuar pishinën qiellore, nuk ka nevojë për t’u brengosur. Çdo apartament i Regent Residences Dubai ka tarracën e tij private me pishinë, si dhe mundësinë për të përdorur një pishinë të brendshme rreth 25 metra të gjatë.

Përveç kësaj, banorët do të mund të shijojnë shumë aktiviteteve ekskluzive. Ata do të kenë akses në fusha tenisi, sallone të jashtme për relaks, një kinema private dhe një simulator golfi virtual. Në bazën e kullave, është parashikuar një podium me hapësira të gjelbra, restorante, dyqane dhe hapësira për aktivitete të tjera sociale.Ky projekt është pjesë e një rinovimi të madh të lagjes Marasi Marina në Business Bay, që ndodhet në brigjet e Dubai Creek, në jug të qendrës së qytetit. Regent Residences Dubai është gjithashtu projekti i parë i këtij lloji i firmës Sankari në Lindjen e Mesme. Projekti do të sjellë një shtesë të veçantë në peizazhin urban të Dubait dhe do të jetë një nga simbolet e zhvillimit të ri të qytetit.