
Ka marrë formë të prerë, vendimi i dënimit me 7 vite burgim për Arbër Paplekaj, personi që u përfshi në ngjarjen e rëndë të muajin Prill 2021, i cili vrau me pistoletë militantin e Partisë Socialiste, Pjerin Xhuvanin, i cili njihet në Elbasan si “Pipi”.
Prokuroria e Apelit në Tiranë, nga dhjetori 2024 kur është zbardhur vendimi, deri në këtë fazë nuk ka ushtruar Rekurs pranë Gjykatës së Lartë, duke çuar në pranimin e konkluzionit të nxjerrë nga Gjykata, e cila vendosi të ndryshojë akuzën për Papleksaj, duke sjellë dënimin e tij me 7 vite burgim për veprën penale të “Vrasjes së kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”
Ndërsa Gjykata e Elbasanit kishte dënuar Paplekaj me 22 vite burgim për akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.
Tashmë në fuqi mbetet dënimi me 7 vjet heqje lirie pasi Prokuroria e Apelit nuk ka ushtruar Rekurs në Gjykatën e Lartë, duke bërë që dosja penale kundër Paplekaj të arkivohet në arshivën e Gjykatës së Elbasanit.
Pritet që brenda 1 vite e gjysmë, Arbër Paplekaj të lirohet nga burgu.
Në vendimin e argumentuar, treshja e gjyqtarëve të Apelit thonë se:”…provohet se i pandehuri në momentin e kryerjes së veprës penale ka qenë në kushtet e tronditjes psikike, e cila është shkaktuar nga dhuna dhe fyerja e rëndë e viktimës (Pjerin Xhuvani). Tronditja psikike, ka lindur për shkak të veprimeve të padrejta të viktimës në mënyrë të atë çast dhe të përkohshme…”.
Më tej në vendim thuhet se:”…gjatë kohëzgjatjes së kësaj gjendje i pandehuri nuk ka pasur kontroll të plotë të veprimeve të tij, pasi vetëdija e tij është errësuar dhe ka mbizotëruar efekti fiziologjik i shkaktuar si pasojë e veprimeve të viktimës (Pjerin Xhuvani)…”
