Në gjykatën e Hagës janë dhënë deklaratat përmbyllëse për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.

Avokati i viktimave të luftës,  Simon Laës, u shpreh se nuk është  detyrim i tyre, por i prokurorisë që të vërtetojë akuzat.

“Nuk ka kusht ligjor që të vërtetojmë lidhjen mes Selimit dhe krimeve, në asnjë fazë të procesit. Ne sigurisht nuk jemi përpjekur të bëjmë lidhjen e krimeve dhe Selimit. Ne kemi paraqitur informacione dhe prova që kanë pësuar viktimat. Kjo kërkohet nga ne. Nuk është puna jonë të vërtetojmë akuzat ndaj Selimit, kjo është puna e Prokurorisë”, tha avokati.

Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq tha se nuk ka asnjë provë që klienti i  tij  ka pasur rol në kryerjen e krimeve.

“Konsensusi i provave dhe dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe brenda UÇK-së ishte se Thaçi nuk dyshohej se ishte përfshirë në krime lufte apo në ndonjë politikë që shënjestronte kundërshtarët. Zyra e Prokurorit Special nuk kishte përgjigje për të hedhur poshtë këto pretendime të hënën”, tha Mishetiq.

Ish-krerët  e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat ata janë deklaruar të pafajshëm. Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burg secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

Ardit Murataj