Një ditë pas protestës, ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur në takim krerët e degëve të PD-së në Tiranë, kryetarët e FRPD-së dhe Lidhjes Demokratike të Gruas.

Në fjalën e tij, Berisha tha se protesta e djeshme ishte nisja më dinjitoze e revolucionit demokratik paqësor.

Por pavarësisht kësaj, Berisha kujtoi më së shumti protestën e 6 dhjetorit dhe incidentin ku një person goditi me grusht liderin e PD-së.

Berisha: Dua të falenderoj me mirënjohjen më të thellë ato qytetarë dhe qytetare, të falenderoj të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët e atij cunami që jehoi në Shqipëri dhe në botë, më shumë se çdo protestë tjetër që kemi organizuar deri më sot. Ishte ajo, nisja më dinjitoze, më e merituar e revolucionit tonë demokratik paqësor. Nëse ne dolëm më 6 dhjetor në protestën më të pazakontë që Shqipëria kishte njohur ndonjëherë, ne më 6 dhjetor na nxorri mbrojtja e së vërtetës në shesh.

Ne kishim vetëm një mesazh, që mikpritësi juaj është turpi i Shqipërisë dhe turpi i botës. Dhe se ju jeni të mirëseardhur në Shqipëri si mik në vend. Ne ndërmorëm atë akt sepse nuk mundesh kurrë të pranonim që një samit europian, të përdorej për kreun e një organizate kriminale si “make up”. Në një hark kohor të shkurtër, u faktua para gjithë botës, sa të drejtë kishim ne. Në dhjetor, mediat e botës e dhanë lajmin e protestës tonë, por mbizotëroi lajmi i atentatit që ata bënë.

Megjithatë në dhjetor pati nga ata që thanë se ishin tensione të brendshme politike. Koha provoi se ne dolëm për të vërtetën në rrugë. Ne dolëm për t’u thënë të vërtetën liderëve europianë se çfarë përfaqësonte Edi Rama. Koha provoi se ne bëmë një nga veprimet më të goditura dhe të duhura në ekzistencën tonë. Zhvillimet e mëpasme, faktuan se ky individ dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, nuk njohin asnjë kufi dhe asnjë normë dhe asnjë moral.

Nuk ndalen përpara asnjë veprimi për hir të pushtetit të tyre të krimit. Hapja dje e revolucionit tonë me një protestë aq madhështore, ka pushtuar të gjithë mediat e botës. Agjencitë më të mëdha, por tani si të ishte Shqipëria në mesin e ciklonit gjatë 2 javëve, në protestën tonë, në lajme ishte Edi Rama me McGonigalin.