Është mbajtur sot protesta e opozitës para Kryeministrisë, teksa një tjetër është paralajmëruar ditën e hënë para Kuvendit. Qytetarët janë mbledhur nga të gjitha pikat kryesore dhe kanë protestuar në Bulevard, teksa policia është bërë gardh para Kryeministrisë. Ndërkohë, Berisha e Meta kanë dhënë mesazhet e tyre të forta kundër qeverisë ‘Rama’. Protestuesit kanë hedhur flakadanë e sende drejt Kryeministrisë duke shkaktuar një situatë kaotike.

Më pas në drejtimin e kreut të PD-së Sali Berisha protestuesit janë zhvendosur te Parlamenti me thirrje “Rama ik!”.

Partia Demokratike, e mbështetur nga aleati i saj Partia e Lirisë thirrën shqiptarët sot në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në orën 12:00 për të protestuar kundër qeverisë ‘Rama’. Ishte kryetari i PD-së, Sali Berisha ai që e njoftoi mbajtjen e kësaj proteste, ndërsa data u vendos pas konsultimit të tij me grupin parlamentar, ndërkohë që u përkrah dhe nga aleatët e tij.