Çfarë do të ndodhë në protestën e opozitës?
Teksa na ndajnë afro 2 orë nga protesta e opozitës, policia ka zbritur në terren. Opozita ka thirrur një protestë para Kryeministrisë në orën 18.00, në kuadër të skandaleve të qeverisë. Por në prapaskenë ka pasur zëra se protesta mund të jetë e tensionuar dhe për këtë arsye policia ka marrë masa.
Afro 1200 efektivë policie kanë zbritur në terren, përfshirë forcat speciale. Pas Kryeministrisë dhe te Kryesia e Kuvendit janë vendosur autobote me ujë, ndërsa janë vendosur kamera me rezolucion të lartë në Bulevard. Sipas burimeve, policia i ka dhënë opozitës 3 orë kohë për të protestuar.

Nga ana tjetër efektivët kanë filluar të vendosen përreth Kryeministrisë, teksa është vendosur dhe një kordon metalik. Deri tani PD nuk ka dhënë asnjë detaj nga skenarët që do të ndiqen, por flitet se mund të ketë molotov dhe hedhje të sendeve të forta drejt godinës qeveritare.










