Policia e Tiranës ka proceduar penalisht deputetët Gazment Bardhi e Flamur Noka si dhe Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike, Ervin Minarolli pas protestës së opozitës mbrëmjen e së hënës.
Uniformat blu kanë vënë në pranga një 57-vjeçar nga Tirana ndërsa janë proceduar një 31-vjeçar dhe 2 të mitur, 16 dhe 17 vjeç, banues në Tiranë për goditje për shkak të detyrës, shkatërrim i pronës me zjarr, prishje e rendit dhe qetësisë publike dhe kundërshtim i punonjësve të policisë.
Ndërkohë po punohet për kapjen 9 të tjerëve mes tyre një të mituri.
“Gjithashtu, po punohet për kapjen e shtetasve K. K., 43 vjeç, M. T., 24 vjeç, I. T., 49 vjeç, A. P., 46 vjeç, S. B., 49 vjeç, D. N., 62 vjeç, K. B., 22 vjeç, H. V., 68 vjeç, dhe e një shtetasi të mitur 17 vjeç, të dyshuar për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Shkatërrimi i pronës”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë të rendit publik”, parashikuar nga nenet 274, 237, 151, 150, 282 dhe 236 të kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Policia e Tiranës bën me dije se ditën e djeshme janë dëmtuar 10 punonjës policie, nga të cilët 7 pas ndihmës mjekësore u larguan në banesë, ndërsa 3 të tjerët po trajtohen në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore dhe 2 persona, babë e bijë, të cilët dyshohet se janë dëmtuar me molotovë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia thotë se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 68 mbetje flakadani të plasur; 23 copa plastike të shisheve të djegura; 3 shishe plastike uji; 3 tymuese të plasura; 1 shishe 0.5 litër me lëndë djegëse me lëndë piroteknike të paplasur; 1 çantë me ngjyrë të zezë me 8 shishe plastike 0.5 litër me lëndë djegëse (molotovë); 1 kuti cilindrike bombol; 2 çanta me 17 bidonë 0.5 litër me lëndë të dyshuar djegëse bashkëlidhur lëndë piroteknike të paplasur (molotovë).
Kujtojmë se në protestën e djeshme tubuesit fillimisht u grumbulluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Më pas, ata u zhvendosën te selia e Partisë Socialiste, godina e Ministrisë së Brendshme, godina e Bashkisë Tiranë, Kuvendi i Shqipërisë.
Gjatë rrugëtimit, protestuesit kanë hedhur lëndë djegëse shpërthyese dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të godinave të institucioneve publike.
Gjithashtu kanë dëmtuar tabelat e reklamave dhe kanë djegur kazanët e mbeturinave. /tvklan.al