Sot do të mbahet protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha në Kryeqytet.
Partia Demokratike me sloganin “mos thuaj ç’me duhet mua” prej ditësh u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë në orën 19:00, kundër qeverisë së Edi Ramës.
Protesta do të nisë me marshimin e kryedemokratit Sali Berisha nga selia e PD-së dhe do të hapet me këngën e Renis Gjokës dhe Big Basta. Himni i protestës me titullin “Një hap përpara” është publikuar paraditen e kësaj të mërkure nga vetë Berisha.
Në protestë do të flasin përfaqësues nga shoqëria civile, me fjalën hapëse që do ta ketë Altin Goxhaj, si kryetar i Frontit për Shpëtimin e Shqipërisë. Protestuesit sipas degëve do të mblidhen një pjesë në Sheshin Skënderbej, një pjesë tek Nënë Tereza.
Lideri demokrat Sali Berisha, do të ketë fjalën e fundit në protestën para Kryeministrisë. Duke parë listën e folësve dhe organizimin, pritet që ajo të zgjasë për disa orë. Në podium do të ngjiten përfaqësues të të gjitha shtresave të shoqërisë.
Selia blu ka kërkuar leje në Policinë e Tiranës për protestën nga ora 19:00 deri në 21:00, ndërsa është mësuar se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do të kufizohet qarkullimi rrugor për automjetet prej orës 16:00.
Por përveç masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e rendit dhe nga PD për ecurinë e protestës, edhe Kryeministria është hedhur në veprim, duke blinduar dyert e godinës, ashtu siç edhe është bërë zakon në tubimet e mëparshme të opozitës.