“Do t’i tregojmë BE-së se po vijnë në një vend që është poshtë Vietnamit komunist për standartet e demokracisë.” Kjo ishte përgjigja e kreut të Partisë Demokratike kur u pyet në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga qeveria për datën e zgjedhur për protestë që përkon me mbajtjen e Samitit të BE-së në Tiranë.
Pas një vizite në Panairin e Librit, Berisha tha se ky që po mban opozita është në fakt një qëndrim pro-evropian. Sipas kryedemokratit, populli opozitar do të mbushë sheshet dhe rrugët në mbrojtje të idealeve dhe demokratike evropiane dhe të ëndrrës evropiane të shqiptarëve
“Është një qëndrim kryekëput pro europian, një qëndrim që synon ti thotë Europës së krahas narkoshtetit të Edi Ramës, krahas politikave të shpopullimit që shndërroi shqiptarët në kombin e gomoneve, krahas regjimit të monizmit të plotë që ka degdisur Shqipërinë 4 vende nën Vietnamin komunist për indeksin e zbatimit të ligjit. Pra, të rikujtojmë ne që ata vijnë në një vend që është poshtë Vietnamit për standardet e demokracisë është dhe një popull i tërë i fuqishëm opozitar, që do të mbushë sheshet e rrugët, nga e gjithë Shqipëria në mbrojtje të idealeve demokratike evropiane dhe të ëndrrës evropiane të shqiptarëve,” tha Berisha. /abcnews.al/