Në Serbi, pothuajse 60 fakultete shtetërore ndaluan punën dhe në shenjë mbështetjeje, protestave studentore iu bashkuan edhe nxënës të shkollave të mesme.
Kërkesat e tyre janë që të dënohen përgjegjësit për shembjen e strehës së jashtme të ndërtesës të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, e cila vrau 15 persona. Thirrjeve të tubuesve u është shtuar edhe ajo për ndëshkimin e personave që sulmuan student e qytetarë gjatë demonstrative paqësore që nderuan viktimat e incidentit. Ndërkohë, në rrjetet sociale është shfaqur një video nga Ivanjica, ku shihet drejtuesi i një makine “Audi” duke e thyer bllokimin e rrugës pa e ulur shpejtësinë. Duket se ka pasur disa raste të ngjashme këto ditë, kur shoferë automjetesh kanë tentuar të godasin protestuesit që kishin bllokuar rrugët.
Shumë në Serbi fajësojnë për fatkeqësinë korrupsionin e përhapur dhe punimet e dobëta në ndërtesën e stacionit hekurudhor, që u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e projekteve të dyshimta që përfshijnë kompanitë shtetërore kineze. Protestuesit kërkojnë që Presidenti Vuçiç dhe përgjegjësit për shembjen e çatisë, të përballen me drejtësinë. Deri tani autoritetet kanë arrestuar 13 persona për ngjarjen në Novi Sad, përfshirë një ministër që u la më pas i lirë, dukë shtuar mosbesimin e publikut rreth procesit të hetimeve.
Protestat e javëve të fundit e kanë sfiduar pushtetin e Presidentit Vuçiç, kundërshtarët e të cilit e akuzojnë për sundim gjithnjë e më autokratik.
Top Channel