Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zorabishvili, e partisë “Lëvizja e Uniteti Kombëtar” shpërndau parlamentin dhe i kërkoi policisë të mos dhunojë protestuesit, që kanë mbushur rrugët e kryeqytetit në formë revolte për vendimin e qeverisë për të ndërprerë negociatat me Bashkimin Europian për anëtarësim.
Por, megjithatë, Policia tregoi forcën për të shpërndarë një turmë të madhe të mbledhur në Tbilisi, duke përdorur topa uji, spraj dhe, në disa raste, duke rrahur brutalisht protestuesit, sipas dëshmitarëve okularë, përfshirë edhe një gazetar.
Presidentja vlerësoi gjithashtu qytetarët për luftën për demokraci. Sipas saj, askush nuk është i gatshëm të pranojë një Gjeorgji të rusifikuar, një Gjeorgji të privuar nga kushtetuta e saj ose një Gjeorgji në duart e një qeverie dhe parlamenti të paligjshëm.
Mijëra vetë kanë dalë në shesh prej disa ditësh pasi qeveria vendosi të ndërpresë negociatat me Bashkimin Europian për anëtarësimin.
Më 14 dhjetor pritet të mbahen zgjedhjet, ndërsa partia në pushtet, “Ëndrra Gjeorgjiane” ka emëruar si kandidat zyrtar për president të vendit ish-sulmuesin e Mançester Sitit, Mikael Kavelashvili. 53-vjeçari dikur ka qenë pjesë e kësaj partie, por në vitin 2016 themeloi partinë e re, “Fuqia e Popullit”. ai është në koalicion me ish-partinë e tij që drejtohet nga oligarku Bixina Ivanishvili. Ky i fundit njihet për tendencat e tij pro-ruse. Në partinë e “Ëndrra Gjeorgjiane” bën pjesë edhe një tjetër ish-futbollist i shquar, Kakaber Kalaxe, ish-lojtar i Milanit që aktualisht është kryetar i bashkisë së kryeqytetit, Tbilisi.