Partia Demokratike do të mbajë sot protestën e parë që prej marres së drejtimit të saj nga ish-kryeministri Sali Berisha. Demokratë dhe njerëz të thjeshtë nga gjithë Shqipëria janë ftuar të vijnë sot në kryeqytet, në tubimin që do të nisë në orën 19.00 dhe pritet të zgjasë tre orë.

Nga selia e PD bëjnë me dije se protestuesit janë nisur nga Shkodra edhe me makina private, veç autobusëve që janë vënë në gatishmëri nga Degët e rretheve. Nga nisja në sheshin përpara Teatrit “Migjeni”, ka qenë i pranishëm edhe kryebashkiaku Bardh Spahia dhe kreu i PD Gjenarin Kapçari.

Pjesëmarrja nga qyteti kryeqendër i veriut pritet të jetë me rreth 1 mijë protestues. Po ashtu, edhe demokratët e Durrësit kanë nisur të vijnë në Tiranë, tashmë që na ndan zyrtarisht vetëm një orë nga nisja e protestës.

Rreth 2,500 durrsakë parashikohet të jenë të pranishëm në tubimin e sotëm të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. PD ka kërkuar në Policinë e Tiranës 3 orë leje për protestën e sotme, ndërsa më shumë se 1 mijë policë janë në gatishmëri.

Po ashtum, bëhet me dije se edhe nga Qarku Dibër pritet prezencë e madhe protestuesish. Sipas kryetarëve të degëve të PD në Mat, Bulqizë e Dibër, në total nga ky Qark do të jenë pjesë e protestës rreth 2,000 qytetarë.