I vetmi dokument i bërë publik deri më tani me firmën e Altin Dumanit dërguar Kuvendit, është ai ku kërkohet autorizim për arrestimin e numrit dy të qeverisë, zv.kryeministres Belinda Balluku.

Por krahas këtij dokumenti. Sipas burimeve , SPAK në kryesinë e kuvendit ka dërguar një relacion shoqëruar me provat dhe një USB duke i vendosur mbishkrimin sekret hetimor.

Kryetari PD Sali Berisha foli për këto prova duke ngritur pretendimin se anëtarëve të Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren që do të mblidhet të premten,  nuk po u vihen në dispozicion nga Kuvendi.

“Niko Peleshi ka futur provat në kasafortë dhe nuk ua jep deputetëve të opozitës, anëtarëve të komisionit të verifikimit të mandateve”, tha Berisha.

Nëpërmjet një reagimi zyrtar, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi bëri të qartë se materialet sekrete te SPAK nuk do ju jepen deputetëve të Komisionit të Mandate, Rregulloren dhe Imunitetit përpara mbledhjes të së premtes.

“Administrata e Kuvendit (Sekretaria e Këshillit) u vuri në dispozicion anëtarëve të këtij Këshilli aktet procedurale përkatëse, si edhe kërkesën dhe urdhrin e prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, me detyrimin e shprehur që këto dokumente të mos bëhen publike. Materiali me karakter ‘sekret hetimor’ ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut”.

Gazment Bardhi një prej anëtarëve demokrat në Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren replikoi në distancë me kryetarin e Kuvendit: “Niko e ke gabim! Nuk e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës! Është sheshit, në çdo punë publike. Për të zbatuar ligjin s’ka nevojë të pyesësh as SPAK as Edi Ramën! Vendosi në dispozicion deputetëve materialin e plotë, përfshirë provat shoqëruese të relacionit dhe urdhrin e prokurorit të datës 16.12.2025”.

Një burim nga Kuvendi i tregoi gazetarit , edhe për ekzistencën e një prove tjetër mbërritur në kuvend prej SPAK.

Bëhet fjalë për  një USB me disa materiale, për të cilën SPAK i kërkon këshillit të mandateve të njihet, por pa prezencën në sallë edhe të vetë Belinda Ballukut.

Por cili do të jetë qëndrimi shumicës socialiste përballë kërkesës për të arrestuar numrin dy të qeverisë? Burime nga PS treguan për Top Channel se fillimisht do të dëgjohen palët në Këshill pra SPAK dhe zonja Balluku e më pas do të kalohet në një fazë diskutimi brenda PS drejt vendimit final që do të paraqitet në këshill e më pas votuar në parlament.

top channel