Këtë të enjte maturantët do të zhvillojnë provimin e parë, atë të gjuhës së huaj.
Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” ka uruar suksese për maturantët, pas një viti të vështirë pandemik.
“Suksese maturantëve pas një viti tejet të vështirë”, shkruan Rama.
Në të gjithë vendin do të testojnë njohuritë e tyre, 34 mijë maturantë, ndërsa në Tiranë do të jenë 3800 maturantë të cilët do të zhvillojnë provimin në 34 pika testimi.
Ndryshe nga një vit më parë, këtë herë maturantët do ti nënshtrohen një testi me pyetje të alternuara mes atyre me alternativa dhe zhvillim.
Testi do të nisë në orën 10:00, por ndryshe nga një vit më parë, kur për shkak të pandemisë kohëzgjatja e provimit ishte 2 orë, këtë vit do të jetë 2:30 minuta, kërkesë kjo e protestës së maturantëve vitin e kaluar.
Rregullat e pandemisë do të jenë të njëjta, ku në klasa do të ruhet distanca dhe do të qëndrojnë aq persona sa të mund të zbatohet ky rregull, duhet të jenë të pajisur me maska dhe do të kryhet dezinfektimi i tyre në momentin që hyjnë në ambientet e shkollës.