Politika e lexoi në mënyra te ndryshme raportin e Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës duke brohoritur fitore.

Socialistet reaguan përmes kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka.

“Komisioni i Venecias shprehet qartë se Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por është vetëm në gjendje të votojë për çështje që janë brenda kompetencës së vet. Ky Komision shpreh mendimin se dy vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese për mandatin e deputetes Xhaçka nuk duheshin kushtëzuar nga votimi në Kuvend i zbatimit të tyre. Me fjalë të tjera vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën”, shprehet Bushka.

Në rrjetet sociale, kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi eveidentoi paragrafin 20, 23 dhe 57 që sipas tij rrezojnë pretendimet e mazhorancës dhe i japin të drejtë opozitës.

“Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare. Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thotë Bardhi.

Por, mazhoranca mendon ndryshe.

“Koha na dha të drejtë. Edhe një herë çmoj të theksoj se ashtu siç nënvizon edhe Komisioni i Venecias, Kuvendi e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës kushtetuese dhe nuk ka patur dhe nuk ka asnjëherë qëllim të mos i zbatojë ato, por këto vendime duhet të jenë të tilla që Kuvendi brenda kompetencave kushtetuese t’i jetë në gjendje t’i zbatojë ato”, shton Bushka.

Gazment Bardhi  këmbënguli se ekspertët ndërkombëtar të  Këshillit të Europës rrëzuan një puç kushtetues.

“Komisioni i Venecias i ka dhënë shuplakën më të madhe gjatë këtyre 34 viteve një mazhorance, duke konfirmuar ndërkombëtarisht se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese me votë politike është i paprecedentë. Përshëndes me mirënjohje Komisionin e Venecias për opinionin profesional që konfirmon edhe njëherë që qëndrimi i mazhorancës ishte puç kushtetues ndaj shtetit ligjor”, shprehet Bardhi.

Top Channel