Partia Social Demokrate prezantoi programin elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kryetari i PSD Tom Doshi nga Shkodra rikonfirmoi kandidaturën e tij për deputet në këtë qark dhe i bëri thirrje Diasporës ta mbështesin.

“Po e deklaroj sot që unë do jem deputet i Shkodrës për 4 vitet e ardhshme. Synimi jonë nuk është më për dy deputetë, por duke parë punën dhe mbështetjen në qarkun e Shkodrës, do luftojmë për 3 mandate. Për diasporën kam një thirrje, të votojnë PSD nëse duan të shohin njerëzit e tyre më të lumtur”, u shpreh ai.

Teksa shpalosi programin, sekretari organizativ i PSD, Klementin Mile tregoi pikat kryesore.

“Programi ka disa pjesë, një nga pjesët kryesore është ekonomia. 10 milionë euro nga buxheti i shtetit që bizneset të kenë asistencë teknike falas. SPAK, GJKKO, organet e drejtësisë kanë mbështetjen tonë të plotë. 5 milionë euro për projektet e të rinjve nga diaspora që të vijnë këtu. Do subvencionojmë fermerët për çdo njësi prodhimi dhe krerë bagëtish që mos të ketë pension nën 190 euro. 10% të vendeve të punës në administratë për të rinjtë e sapodiplomuar. Një minimum jetik për të gjithë njerëzit prej 220 eurosh në muaj”, tha Mile.

Kreu i PSD, Doshi e cilësoi programin e partisë së tij të përshtatshëm për çdo familje shqiptare.

“Ky program, kemi punuar duke e trajtuar si një kryefamiljar, me çdo gjë që i nevojitet një familjeje. Ky është buxheti i qytetarëve. Premtimet tona janë të gjitha të realizueshme, që nga fermeri te pensionistët e të tjerë”, u shpreh Doshi.

PSD synon zgjerimin e saj në gjithë vendin ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale në qarkun Shkodër doli forcë e parë sa i përket numrit të këshilltarëve.