Disa javë më parë, teksa dilja nga një debat televiziv, një nga deputetët e PD-së që kishte qenë gjithashtu në studio, mu afrua dhe për çudinë time të madhe më tha se analiza që unë bëja, në fund, i shërbente Edi Ramës. Në tonin e tij, më shumë sesa keqdashje, kishte një lloj lodhjeje dhe disfatizmi.

Unë i kuptoj vazhdoi ai të gjitha argumentat për pamundësinë e mposhtjes së regjimeve me votë, për një garë të pabarabartë kur ndërhyjnë bandat kriminale, paratë e pista, përdorimi i administratës dhe shantazhimi i pjestarëve të saj, por të pohosh, se për këto arsye, rilindja do i rrëmbejë të gjitha bashkitë që ka vendosur ti mbajë për vete, se opozita do i humbasë në 14 maj të gjitha qytetet e mëdha, kjo dërrmon optimizmin, dhe mpak mobilizimin e çdo faktori opozitar, duke ia bërë punën më të lehtë qeverisë dhe Ramës. 

Aty për aty iu përgjigja se detyra ime nuk ishte ti shërbeja entuzazmit të PD apo PL por, si gazetar, të përpiqesha tu thoja atyre që dëgjonin të vërtetën që unë shoh dhe mendoj. Këtu biseda u mbyll, por për ditë me radhë, biseda më mbeti e ngulur si gozhdë në kokë.

A i volit vërtet Edi Ramës përhapja e idesë se ai është i pamposhtshëm elektoralisht, qoftë edhe me çmimin e denoncimit të metodave të errëta me të cilat ai i arrin qëllimet? A e forcon ky lloj diskursi mitin e një pushteti të pathyeshëm? A i demoralizon ai ata që kërkojnë të hakmerren me votë ndaj regjimit?

Pra dilema që shtrohet është, a duhet të dominojë në atrikulimin publik të kritikëve të këtij pushteti, entuziazmi për një fitore të mundshme në zgjedhjet lokale të radhës, apo  në të kundërt, theksi duhet të vihet mbi garën e pabarabartë, mbi prishjen e regullave të lojës, mbi vrasjen përfundimtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në një kohë, kur 4 muaj para betejës, ne ende nuk dimë kë kemi opozitë me vulë zyrtare. 

Kjo si temë ha debat dhe argumentat, si pro njërit obsion po ashtu edhe tjetrit, të bëjnë të mendohesh gjatë.

Por kur sheh mënyrën se si po sillen krerët e opozitës, duket se debati mbyllet. Pak ditë më parë, Ilir Meta doli dhe propogandoi fitoren në Tiranë, Elbasan dhe Durrës sepse në këto qytete kandidatët e opozitës janë të mrekullueshëm. Të njëjtën logjikë po përdorin edhe disa nga ata konkurentë që i ka katapultuar në këtë sfidë procesi i primareve. Po ti dëgjosh të duket vetja sikur ne jetojmë në normalitet, sikur mjafton një epërsi morale përrballë hajdutëve, një program më i mirë dhe shfrytëzimi i pakënaqësisë qytetare për ti mundur ktyrbashkiakët e PS me votë.

Pra sipas kësaj logjike Tirana ku janë hedhur në kulla milionat e oligarkëve më pranë Ramës, ku në ndërtim pastrohen 60% e parave të pista të krimit sipas raporteve ndërkombëtare, ku bëhen tendera fiktivë si ato që denoncoi pak ditë më parë Belind Këlliçi, qenkësh një fushë asnjanëse që ku të gjithë paskëshin mundësinë e tyre të barabartë. Po Elbasani i bandave ku policia shërben si vasale e bandave? Po Durrësi i përgjimeve të Bildit, ku fatin e zgjedhjeve e vendosin tipa të ngjashëm me Niçen apo Avdylajt?

E pra ti thuash qytetarëve se fitorja është e mundur në kushtet kur nuk ndeshesh vetëm me kandidatin e PS, por njëkohësisht edhe me krimin edhe me oligarkët edhe me realitetin e rremë që vizatojnë mediat edhe me fondet publike që përdoren për zgjedhje edhe me grupimet pa votues që suportohen nga pushteti edhe me gjykatat që s’të njohin edhe me KQZ-në që nuk të pranon e regjistron komisionerët, do të thotë ti gënjesh ata në mënyrë të paskrupullt. Dhe e keqja është se kjo gënjeshtër diskredituese i ka këmbët e shkurtra. Ajo e nxjerr qesharak këdo që thotë para 14 majit: “do fitoj” dhe quravitet një ditë më pas se e vodhën sërish. 

Po atëherë cila është zgjidhja e opozitës: të ngrejë krahët dhe të dorëzohet? Çfarë mund të bëjë ajo në kushtet kur bojkotimin e zgjedhjeve të fallcifikuara e ka anatemuar tashmë si tradhëti që nuk mund të përsëritet?

Shpresa e saj është vetëm një: artikulimi i së vërtetës me çdo lloj çmimi. Njerëzit nuk mund të gënjehen më me normalitetin e rremë sikur mundësia për fitore është e hapur. Jo ajo është e mbyllur. PD dhe PL duhet të zhvishen nga kompleksi se ato janë të dënuar të fitojnë. Ato kanë një sfidë më të madhe: të sigurojnë mbijetesën në kushtet kur regjimi ka planifikuar ti asgjesojë. Në këto zgjedhje nuk është në pikpyetje rezultati, por vrasja ose jo përfundimtare e demokracisë. Pra opozita e sotme nuk ka pse shet imazhin e një atleti muskuloz që po bëhet gati të dalë kampion dhe të thyej rekordin, ajo duhet të shfaqë në publik trupin e saj real, atë që i ka mbijetuar një atentati dhe gjendet në reanimacion duke luftuar mes jetës dhe vdekjes. Fitorja e saj e vërtetë është po shmangu këtë të dytën.

Misioni i saj është të mbajë kompakte atë masë kritikësh dhe kundërshtarësh të pushtetit, në kushtet kur ata blehen apo shantazhohen, në kushtet kur denoncimet e tyre zhduken nga peizazhi mediatik, në kushtet kur ata i nënshtrohen një drejtësie të pabarabartë, në kushtet kur karierat e tyre mund të ndërpriten apo bizneset e tyre të persekutohen. Sfida reale e momentit nuk është çertifikimi si shumicë numerike, gjë që për njëmijë e një arsye e ka të pa arritshme, por ruajtja e embrionit të pluralizmit që gjendet në rrezik.

Dhe këtu kthehemi tek dilema fillestare e këtij shkrimi: cila është rruga e drejtë: ajo e përkundjes së mirazhit të remë të një fitoreje elektorale, për të mobilizuar militantët dhe marrë një maksimum gjithësesi të pamjaftueshëm votash, apo artikullimi i të vërtetave sa do të dhimshme qofshin ato? Në fakt, duke qenë i bindur se asnjëra nga alternativat nuk çon në mposhtjen e koalicionit pushtet, oligarki, krim, media, mendoj se kjo e dyta është e vemja rrugë. Në kushtet kur e kanë zhveshur nga gjithçka, opozitës i mbetet vetëm të vërë alarmin për mosazgjesimin përfundimtar të demokracisë.

Sepse këtë herë në lojë nuk janë disa bashki, por krejt sistemi që shqiptarët kanë pasur iluzionin se kanë ndërtuar në tre dekadat e fundit./Lapsi.al