Shpallja e primareve ishte loja…

Në listat e opozitës për deputetë, tronditja më e madhe vjen nga përjashtimi i madh i të gjithë atyre që fituan primaret e organizuara me shumë bujë nga Sali Berisha.

Igli Cara në Durrës, Jorida Tabaku në Tiranë, Ilir Alimehmeti në Tiranë, Dash Sula në Elbasan, Hysni Kadiu në Tiranë etj, nuk u vendosën në listat për deputetë, ose u larguan nga kufiri i sigurisë.

Ky veprim i Sali Berishës nuk duket të jetë lajthitje apo edhe vetëm thjesht se ka dashur të afrojë besnikët.

Ky është një akt i pastër politik, me një sinjal të paracaktuar, ndaj të gjithëve që nisën të ndërtojnë karriera në Partinë Demokatike. Nëse vëzhgojmë me kujdes panoramën politike, edhe pse krejt kaotike brenda opozitës, janë disa personazhe që kanë krijuar një realitet politik personal, duke i ofruar Sali Berishës një marrëveshje, një marrëdhënie politike, pa rënë aq poshtë në konfiguracionin e tyre.

Këto realitete politike kanë emra dhe mbiemra: Janë Jorida Tabaku, Ilir Alimehmeti, Dashnor Sula, Igli Cara dhe disa të tjerë. Të cilët e kanë mbështetur Sali Berishën në ditën më të keqe të tij, duke ruajtur identitetin e tyre politik. Identitet që më së paku 40% nuk përputhet fare, po fare fare me Sali Berishën.

Ata i dhanë atij, një pjesëmarrje, një popullariet, që nuk e ka as Berisha e aq më pak delfinët e tij që nuk i votoi as familja e tyre. Floriana Garo për shembull në Durrës nuk ka lidhje fare me demokratët edhe pse Saliu ua kërkoi ta votojnë.

Por edhe të tjerët. Këtu në fakt është e gjithë çështja.

Sali Berisha është tmerruar nga përgjigja e bazës së PD. Pasi ka votuar të gjithë njerëzit që ai nuk i ka besnikë. Kjo ka sjellë në kokën e doktorit, një fantazmë makbethjane, ku edhe ajo bazë besnike që nuk i është larguar fraksionit të mbetur të PD pas shizmës së madhe, nuk voton besnikët e tij, por votoi ata që kanë një profil të tyre, madje mjaft të ndryshëm me liderin e madh.

Pikërisht ky vullnet politik i primareve që qartazi nuk është pëlqyer nga Sali Berisha, e siç duken faktet, as nuk është pranuar.

Nuk është pranuar pasi Berisha nuk do të bashkëjetojë me një kozmos politik të ndryshëm nga ai, e këtu ka shumë arsye.

Fakti është se doktori, e quan këtë një humbje kohe, energjie, e në fund një objektiv të ndryshëm.

Igli Cara, Jorida Tabaku, Ilir Alimehmeti, Dashnor Sula dhe të tjerë, duan të jenë politikanë të opozitës, që mbështeten në një konsensus territori, ndërsa Berisha do politikanë që kanë konsensusin e tij.

Ndaj ka vendosur atë stazhin dhe kufirin politik të kultit që Berisha e ka ideologji. Kufiri kundër hetimit ndaj politikanëve si Sali Berisha. Për doktorin SPAK është i mirë kur heton Erion Veliajn, por jo Saliun, Argitën, Jamarbrin dhe Shkëlzenin.

SHBA është e mirë kur ndëshkon korrupsionin, por është e keqe kur ndëshkon familjen e tij, të korruptuar kokë e këmbë. Të gjithë fituesit e primareve, ose shumica prej tyre nuk e kanë sulmuar SHBA dhe SPAK, madje disa prej tyre e kanë mbrojtur. Dhe sot ai i ndëshkoi, për t’i thënë bëhuni deputetë të SPAK-ut, por jo të partisë sime. Spontanisht lind pyetja: të gjithë këto personazhe ishin naivë që i hynë detit në këmbë? Jo në fakt! Ishin realistë, madje edhe me lidhje direkte në kancelaritë ndërkombëtare, ku janë ftuar edhe zyrtarisht, ndërkohë që Sali Berisha është izoluar. Pikërisht ky është shkaku. Sali Berisha do t’u thotë këtyre kancelarive që PD-në e kam unë, jo fituesit e primareve, sepse në fund të fundit organizimi i primareve ishte loja… /Pamfleti