Ekspertë të aviacionit i kanë thënë BBC-së se pozicioni i flapëve të krahëve të avionit gjatë ngritjes mund të ketë qenë një problem që çoi në rrëzimin e tij, duke regjistruar mbi 200 viktima.Flapet e krahëve janë pjesë lëvizëse të vendosura në pjesën e pasme të krahëve të një avioni. Ato përdoren për të ndryshuar formën e krahut gjatë ngritjes dhe uljes së avionit.
Një video e verifikuar nga BBC tregon avionin duke zbritur dhe një shpërthim të madh në momentin kur godet tokën. “Kur e shikoj këtë,” thotë analisti i aviacionit Geoffrey Thomas, “treni i uljes (struktura e avionit që përfshin rrotat dhe sistemin mbështetës, që përdoret për ngritje, ulje dhe lëvizje në tokë) është ende i nxjerrë, por flapet janë tërhequr.”Kjo do të thotë se flapet janë në linjë me krahun – gjë që ai e konsideron shumë të pazakontë kaq shpejt pas ngritjes.
“Treni i uljes zakonisht tërhiqet brenda 10–15 sekondave, dhe më pas flapet tërhiqen gradualisht për një periudhë prej 10–15 minutash,” thotë ai.
Një tjetër ekspert, Terry Tozer, shprehet: “Është shumë e vështirë të thuhet me siguri nga videoja, por nuk duket se flapet janë të shtrira, dhe kjo do të ishte një shpjegim i qartë pse avioni nuk e përfundoi ngritjen siç duhet.”
“Kjo do të tregonte një gabim të mundshëm njerëzor nëse flapet nuk janë vendosur siç duhet,” thotë Marco Chan, një ish-pilot dhe pedagog i lartë në Universitetin Buckinghamshire New, “por rezolucioni i videos është shumë i ulët për të konfirmuar këtë.”