“Ne do ta miratojmë amnistinë fiskale me çdo kusht!”. Ky zotim i Kryeministrit Edi Rama në 18 dhjetor të vitit të kaluar ende nuk është reflektuar në planet e qeverisë për vitin 2023. Këshilli i Ministrave ka miratuar programin e përgjithshëm analitik të projekt-akteve që do të paraqiten për shqyrtim gjatë këtij viti, ku mungon nisma disavjeçare për një amnisti fiskale, e motivuar për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, por që në planet e qeverisë i përfshin të gjithë.

Por mungesa e amnistisë në kalendarin e akteve për shqyrtim përgjatë 2023-shit nuk e përjashton mundësinë që ajo të vijë në një moment të dytë për miratim, ndonëse është e rrethuar nga një refuzim opozitar dhe ndërkombëtar që rendisin si rrezik kryesor pastrimin e parave.

Ndërkohë që miratimi i saj kërkon 84 vota dhe opozita duket se nuk ka ndërmend ta votojë. “Aministia fiskale në ato terma në të cilët është bërë publik nga ana e maxhorancës është e pa pranueshme”, deklaronte Enkelejd Alibeaj më 3 tetor 2022.

E njëjta gjë me pasaportat e arta. Në programin e punës qeveria ka parashikuar një sërë aktesh që nga ndryshimi i ligjit për legalizimin e ndërtimeve informale, indeksimin e pensionit apo menaxhimin buxhetor.