Pas miratimit nga qeveria fundjavën e shkuar, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka depozituar në Parlament projekt-buxhetin për vitin 2024.
Për të paguar punonjësit e administratës, pensionistët, kryer investime dhe bashkë me gjithë sfidat e tjera me të cilat vendi do të përballet vitin tjetër, në dispozicion do të jenë 735.9 miliardë lekë.
Pritshmëritë janë që në harkun e 12 muajve të vitit të ardhshëm të mblidhen rreth 674.7 miliardë, ndërsa pjesa tjetër të mbulohet me anë të borxheve që qeveria do të marrë.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlerëson se pjesa më e madhe e këtyre parave, 447 miliardë lekë do të mblidhen nga Tatimi mbi Vlerën e shtuar, fitimet e bizneseve dhe të ardhurat nga pagat e individëve.
Me synimin për të arrirë mesataren 900 euro, në drejtim të rritjes së pagave do të shpërndahen 11 miliardë lekë. Për indeksimin e pensioneve janë planifikuar rreth 4.1 miliardë lekë, ndërsa për bonusin e fund-vitit do të jepen mbi 3.6 miliardë lekë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është institucioni që do të marrën pjesën më të madhe të buxhetit, konkretisht 78.2 miliardë lekë ndjekur nga “financat”, Infrastruktura dhe Energjia, “Mbrojtja” dhe Arsimi e Sporti. Ndërkohë “Drejtësia” “Kultura” dhe “punët e Jashtme” do të marrin më pak, në total rreth 22 miliardë lekë.
Ndërkohë 61 bashkive në vend pritet të kenë në dispozicion një fond prej gati 71.2 miliardë lekësh. Gjysma e kësaj shume do të dalë nga Buxheti i Shtetit, ndërsa pjesën tjetër njësitë e pushtetit vendor do të duhet ta mbledhin vetë.
Bashka Tiranë do të marrë edhe pjesën më të madhe të tortës, rreth 5.2 miliardë lekë, ndjekur nga Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri dhe Vlora.
Pothuajse pa ndryshuar asnjë pozicion në raport me vitin aktual, edhe gjatë 2024-s bashkitë që do të marrin më pak nga Buxheti i Shtetit janë Bleshi, Dropulli, Konispoli, Libohova, Belshi dhe Pusteci.
Ministria e Financave parashikon se vitin e ardhshëm ekonomia do të rritet në nivelin 3.8 për qind e ndikuar kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi.