Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, inxhinierin dhe teknikun e ndërtimit të firmës që po ndërtonte në një pallat në rrugën “Konferenca e Pezës”, ku të enjten, ra nga lartësia teksa ishte duke punuar një 53-vjeçar dhe humbi jetën.
“Në përfundim të veprimeve të kryera për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Konferenca e Pezës”, ku dyshohet se aksidentalisht ra nga lartësia e pallatit në të cilin ishte duke punuar, shtetasi K. D., 53 vjeç, i cili si pasojë ndërroi jetë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasit E. S., 41 vjeç, me detyrë inxhinier ndërtimi i firmës që po ndërtonte këtë pallat dhe E. B., 68 vjeç, me detyrë teknik ndërtimi i kësaj firme, të dy banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë.