Punonjësit e sektorit të riciklimit në incenertatorin e Elbasanit kanë vijuar sërish sot për të dytën ditë radhazi protestën për mos marrjen e pagave prej 2 muajsh, pasi sipas tyre administrata i gënjeu dje, duke i thënë se do i hyjnë rrogat.
Ata e lanë protestën e djeshme, pasi iu komunikua nëpërmjet një telefonate nga administrata se do i futen rrogat, gjë që nuk ndodhi.
“Ishim dhe dje këtu dhe kërkuam rrogat. Në atë moment na erdhi një telefonatë dhe na tha ikni nga aty se do ju futen rrogat. Ne ndaluam protestën, u kthyem dhe rrogat nuk kishin hyrë, na gënjyen. Prandaj dolëm prapë sot, duam rrogat”, u shpreh një punonjës.
Protestuesit thonë se kërkojnë të drejtën e tyre dhe se nuk duan të mashtrohen në këtë mënyrë.
Ata paralajmërojnë se do vazhdojnë protestat deri në grevë urie, deri sa të marrin rrogat, për të cilat kanë punuar.
“Jemi të gjithë punëtorë hallexhinj. Duam apo pesë lekë që kemi punuar, e jo të na mashtrojnë këta. Kërkojmë të drejtat tona dhe protesta do vazhdojë deri në fund.”https://www.youtube.com/embed/n4BxAZg4jg4?feature=oembed
“Kemi 2 muaj nuk kemi marrë lekët, jemi hallexhinj, kemi hyrë në borxhe. Do bëjmë greve, do bllokojmë rrugën deri sa të marrim pagat tona. U larguam dje nga protesta sepse na thanë se hynë lekët nuk kanë hyrë, na gënjyen, na mashtruan. Na bënë edhe presion, nëse bëni greve ikni nga puna. Na thanë keni hyrë në hasmëri me Bashkinë që keni dalë në protestë”, shprehen protestuesit.
Ndër të tjera punonjësit e inceneratorit thonë se edhe pse nuk janë paguar për dy muaj ta kanë punuar rregullisht për kompaninë dhe se e kanë ndaluar punën vetëm ditën e djeshme dhe sot, pasi kanë dalë në protestë për të kërkuar pagat e tyre.
Një javë më parë anëtarët e komisionit hetimor parlamentar për inceneratorët zbarkuan në impiantin e mbetjeve në Elbasan, ku deklaruan se ky impiant nuk i ka pastruar mbetjet por e ka shtuar ndotjen për shkak se kontrata nuk parashikuar eleminimin e hireve të rrezikshme të inceneratori.