Presidenti rus Vladimir Putin u tha gazetarëve të hënën se anëtarësimi i Ukrainës në NATO dhe një përpjekje pasuese për të rimarrë Krimenë, me shumë mundësi do të shkaktonte një luftë midis Rusisë dhe Francës.

Këto komente Putin i bëri në  një konferencë shtypi së bashku me presidentin francez Emmanuel Macron, teksa ky i fundit ndodhet në Rusi për një vizitë zyrtare,

“Doni që Franca të luftojë Rusinë? Kjo është pikërisht ajo që do të ndodhte, nëse Ukraina bashkohet me NATO-n dhe përpiqet të zbatojë politikën e saj shtetërore të ‘riintegrimit’ të Krimesë me forcë”, u tha Putin gazetarëve.

Kievi e ka caktuar Rusinë si një kundërshtar dhe këmbëngul se Krimea i përket Ukrainës, shpjegoi presidenti rus. Pas grushtit të shtetit të vitit 2014 në Kiev, gadishulli votoi për t’u ribashkuar me Rusinë, diçka që shumica e vendeve të NATO-s nuk e kanë njohur.

“Ju më pyesni nëse Rusia dëshiron të bëjë një luftë me NATO-n – më lejoni t’ju pyes, a dëshiron NATO të bëjë një luftë me Rusinë? 

Një sulm nga Ukraina ndaj Krimesë do të nxiste nenin 5 të traktatit themelues të NATO-s, duke e tërhequr të gjithë Evropën në një luftë me Rusinë”, shpjegoi Putin.

“Rusia është një nga fuqitë kryesore atomike në botë. Nuk do të kishte fitues”, u tha Putin gazetarëve. “Macron nuk dëshiron një rezultat të tillë. As unë.”

Presidenti rus vuri në dukje se Kievi tashmë ka përdorur forcën dy herë me radhë për të zgjidhur krizën në Donbass – dy rajonet lindore Donetsk dhe Lugansk.

“Ku janë garancitë tona që ata nuk do të provojnë më?” ai pyeti.

Macron vizitoi Moskën të hënën për të diskutuar situatën në Ukrainë, çështje më të gjera të sigurisë evropiane, si dhe marrëdhëniet dypalëshe me Rusinë. Ai do të shkojë në Kiev të martën, për bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.