Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai bjellorus, Alexander Lukashenko, u takuan të dielën, dy ditë pasi Moska paralajmëroi se çdo agresion ndaj fqinjit të saj do të konsiderohet sulm ndaj Rusisë, raporton CNBC-ja.

Putini ka deklaruar më parë se Kremlini do t’i përdorë të gjitha mjetet për të reaguar ndaj çdo armiqësie ndaj Minskut, ndërsa në takimin e së dielës është paralajmëruar të diskutohet mbi “partneritetin strategjik”.

Bjellorusia ka shprehur gatishmëri ta ndihmojë Rusinë në luftë ndaj Ukrainës. Ajo s’ka dërguar trupa të saj në territorin ukrainas, por e lejoi Moskën t’ia përdorë territorin për të nisur pushtimin.Që nga 24 shkurti i 2022-s, Rusia dhe Bjellorusia kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta ushtarake. Të enjten, Ministria bjelloruse e Mbrojtjes ka deklaruar se mercenarët e grupit “Wagner” kanë nisur stërvitjen me forcat speciale të Bjellorusisë në një poligon ushtarak, vetëm disa milje larg kufirit me Poloninë.