Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO, ka dalë me një deklaratë për situatën në Ukrainë dhe përreth saj, duke thënë se është shumë e shqetësuar nga grumbullimi ushtarak rus në kufirin e Ukrainës, të cilin e quajti të pajustifikueshëm.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që menjëherë të de-eskalojë, të ndjekë kanale diplomatike dhe tu përmbahet zotimeve të saj ndërkombëtare për transparencën e aktiviteteve ushtarake”, thuhet në deklaratën e NATO-s.

Në deklaratë më tej thuhet se NATO-ja do të përgjigjet me vendosmëri në rast të përkeqësimit të gjendjes së sigurisë. “Ne do të përgjigjemi gjithmonë në mënyrë të vendosur ndaj çfarëdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, përfshirë përmes fuqizimit të pozicionit tonë kolektiv të mbrojtjes sipas nevojës”, thuhet në deklaratë.

NATO-ja gjithashtu paralajmëroi se agresioni ndaj Ukrainës do të kishte pasoja masive dhe do të bartte çmim të lartë. “Ne e përsërisim përkrahjen tonë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe i bëjmë thirrje Rusisë që t’i tërheqë forcat e veta nga Ukraina në përputhje me obligimet dhe zotimet e saj ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën zyrtare të aleancës.

Aty gjithashtu përmendet gatishmëria e NATO-s për dialog me Federatën Ruse. “Ne jemi gati për dialog kuptimplotë me Rusinë. E përsërisim ftesën tonë të vjetër për Rusinë për një takim të Këshillit NATO – Rusi në të ardhmen e afërt. Jemi të vetëdijshëm për propozimet e fundit të Rusisë për sigurinë evropiane”, thuhet në deklaratë.

“Nëse Rusia bën hapa konkretë për uljen e tensioneve, ne jemi të përgatitur për të punuar për fuqizimin e masave për ndërtimin e besimit”, thuhet më tej.

Më herët u raportua se Rusia ka paraqitur një varg kërkesash për Perëndimin, përfshirë premtimet për të hequr dorë nga aktitivetetet ushtarake në Ukrainë dhe Evropë Lindore dhe moszgjerim të mëtejmë të NATO-s./ express