Policia ka bërë me dije se janë evakuuar të gjithë pasagjerët që ndodheshin në automjetet e bllokuara për shkak të reshjeve të dëborës në bypass-in e Qafë Murrizit.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme bënë të mundur evakuimin e 50 pasagjerëve që ishin në automjete në këtë bypass. Sakaq ata janë dërguar në destinacionet e tyre në Klos, Bulqizë dhe Peshkopi.
Ndërkohë vijojnë punën borëpastruesit për hapjen e rrugës që automjetet të lëvizin lirshëm. Policia gjithashtu njofton se hapja e rrugës do të fillojë për pak minuta dhe lëvizja do të jetë e lirshme. Nga ana tjetër ata apelojnë drejtuesit e mjeteve të moderojnë shpejtësinë dhe të ruajnë distancën.
Njoftimi i Policisë:
Qafë Murrizë/Policia evakuoi të gjithë pasagjerët që ndodheshin në automjetet e bllokuara për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme, nëpërmjet automjeteve të kalueshmërisë së lartë, bënë të mundur evakuimin e 50 pasagjerëve që ndodheshin në automjete në bypass Qafë Murrizë, duke i nxjerrë nga zona ku kishin mbetur të bllokuar dhe po i transportojnë në destinacionet e tyre, në Klos, Bulqizë dhe në Peshkopi.
Ndërkohë, borëpastrueset po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugës, për të bërë të mundur që dhe automjetet të vijojnë lëvizjen. Drejtuesit e automjeteve të qëndrojnë në makina pasi po punohet intensivisht që për pak minuta të fillojë lëvizja e automjeteve.
Shërbimet e Policisë, pavarësisht kushteve të vështira të motit, ndodhen në krye të detyrës, për t’iu dhënë ndihmë të gjithë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje, dhe apelojnë edhe një herë për shmangie të qarkullimit në rrugën e Arbrit.
Gjithashtu, Policia Rrugore apelon që dejtuesit e automjeteve të moderojnë shpejtësinë, të ruajnë distancën dhe në rast nevoje të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.