Futja në garë e Luçiano Boçi në Primaret për bashkinë e Elbasnait do të ndryshojë listën e deputetëve në këtë qark. Numri dy i PD-së ishte deputeti më i votuar në këtë qark dhe arriti të thyejë herësin falë mbështetjes së qytetarëve.
Ai renditej i shtati në listë, por në fund u fut në listën e gjashtë vendeve që Partia Demokratike siguroi në Elbasan.
Kështu, pas vendimit për të lënë mandatin e deputetit, vendin e Boçit do ta marrë Qani Xhafa, i cili ka mbajtur më parë postin e kryetarit të komunës Labinot Mal. Këtë e konfirmoi vetë Boçi gjatë një bisede që zhvilloi me gazetarët në selinë e Partisë Demokratike.
“Personi që më zëvendëson është z.Qani Xhafa, ish-drejtues i komunës Labinot Mal, një nga njerëzit më me reputacion në zonë, me influencë, jo më kot ka marrë një numër shumë të madh votash. Një njëri që përgjatë kohës kur ka drejtuar komunën ka dhënë rezultate, të cilat banorët i vlerësojnë dhe prandaj e respektojnë. Një njeri që ka mendimin e tij të pavarur dhe nuk është se ka një përcaktimi rigid në pozicionimin e tij. Pozicionimi i tij ka qenë gjithmonë në shërbim të qytetarit, në shërbim të votuesit. Këto janë thjesht qëndrime sipas opinioneve. Më pas pozicionimin e tij do e artikulojë vetë në momentin që do marrë mandatin”, tha Boçi gjatë konferencës për shtyp.