Reagim i Ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, në rrjetet sociale:
Ministrja e Brendshme Albna Koçiu ka reaguar lidhur me situatën e qarkullimit të monopatinave në vend. Koçiu sqaron se udhëzimi për ndalimin e qarkullimit të patinave është në fuqi dhe se nuk ka asnjë vendin për heqjen e masës së ndalimit.
Reagimi:
“E PAVËRTETË!
Udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi. Nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm. Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për garantimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët.
Shpreh mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në respektimin e kësaj mase, e cila synon mbrojtjen e sigurisë dhe jetës, në veçanti të të rinjve.
Të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të traumës konfirmojnë një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve gjatë periudhës së zbatimit të saj.
Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon vlerësimin e situatës për të përcaktuar vendimmarrjen më të drejtë, duke vendosur në qendër të çdo hapi sigurinë dhe jetën e çdo qytetari”.






