Që nga data 1 janar e këtij viti, ka hyrë në fuqi një udhëzim i Bankës së Shqipërisë që detyron të gjitha institucionet financiare të licencuara për veprimtarinë e kursit të këmbimit valutor të raportojnë veprime me bazë ditore.

Subjekt i udhëzimit janë bankat, pikat e këmbimit valutor dhe institucionet e tjera të financiare të licencuara për këtë aktivitet. Bankat duhet të raportojnë me frekuencë ditore të gjitha veprimet e këmbimeve valutore të çdo monedhe tё huaj kundrejt lekut, përfshirë veprimet me arin, brenda orës 17.00 tё ditës nё të cilën ёshtё lidhur marrëveshja, duke specifikuar monedhën e huaj, shumën dhe kursin e këmbimit. Veprimet e kryera pas kësaj ore dhe pozicioni valutor nё çdo monedhë të huaj duhet të raportohen deri nё orën 09.00 të ditës pasardhëse të punës.

Zyrat e këmbimit valutor dhe subjektet financiare jo banka duhet të raportojnë me frekuencë ditore të gjitha veprimet e këmbimeve valutore të çdo monedhe të huaj kundrejt Lekut, brenda orës 12.00 të ditës pasardhëse të punës nё të cilën ёshtё lidhur marrëveshja. Raportimi duhet të përmbajë monedhën e huaj, shumёn dhe kursin e këmbimit. Gjithashtu, zyrat e këmbimit valutor dhe subjektet financiare jo banka duhet të raportojnë me frekuencë javore pozicionin valutor nё çdo monedhë të huaj, nё ditën pasardhëse të punës për javën e mbyllur ditën e premte. Në këtë raportim duhet të përfshihen, të identifikuara më vete, edhe veprimet që mund të jenë kryer gjatë ditës së shtunë dhe të dielë.