Agjentët e Forcave Operacionale në Drejtorinë e Durrësit janë nisur me urgjencë drejt fshatit Gosë, për të lokalizuar dhe arrestuar Shpëtim Osmën, personin që ka qëlluar me breshëri plumbash drejt dy fqinjëve të tij për motive të dobëta.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:15 të kësaj të premte dhe pavarësisht se shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, autori i të shtënave nuk ka pranuar të dorëzohet dhe po i fshihet autoriteteve.
Në kushtet kur ai është i armatosur dhe ka refuzuar të dorëzohet, Forcat Operacionale të Drejtorisë së Durrësit janë nisur me urgjencë drejt fshatit Gosë, për të shmangur pasoja të tjera të mundshme dhe për të prangosur Shpëtim Osmën.
“Në fshatin Gos, Rrogozhinë, rreth orës 10:15, dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta shtetasi Shpëtim Osma, ka plagosur me armë zjarri, pistoletë jashtë rrezikut për jetën shtetasit Sami Disha, dhe Nadire Disha (autori komshi me çiftin që plagosi).
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë rrethuar zonën dhe vendin ku dyshohet se është fshehur autori.Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin ligjor të ngjarjes”, njofton Policia.
Sami Disha ka marrë plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit në gjymtyrët e poshtme, pra në këmbë, ndërsa bashkëshortja e tij Nadirja është plagosur në bark. Të dy, ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Edhe rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes nuk bëhen me dije, por dyshimet paraprake janë se kemi të bëjmë me një ngjarje për motive banale që ka përgjakur këtë ditë të shenjtë të Kurban Bajramit.