Policia e Vlorës ka identifikuar autorin, i cili ditën e djeshme qëlloi me armë gjahu ndaj një tufe me kuajsh në parkun kombëtar të Llogarasë.
Bëhet fjalë për shtetasin S. M., 55 vjeç, banues në Orikum. Ai është proceduar penalisht në gjendje të lirë nga Policia, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”.
Sipas Policisë, fillimisht u raportua për dy kuaj të plagosur, por pas verifikime, ishte plagosur vetëm një kalë, teksa kafshët janë në pronësi të shtetasit K. K., 46 vjeç.
“Në vijim të dokumentimit të plotë për rastin e referuar në Prokurori, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve”, ku në territorin e parkut të Llogarasë, fillimisht dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të shtetasit K. K., 46 vjeç, por nga verifikimet rezultoi se ishte dëmtuar njëri prej tyre, të cilit i ishin shkaktuar disa dëmtime nga armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe nisjen e procedimit penal në ngarkim të tij, konkretisht ndaj shtetasit S. M., 55 vjeç, banues në Orikum. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua, për ekzaminime të mëtejshme, edhe një armë gjahu në pronësi të shtetasit S. M”, sipas policisë.
Materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.