Mëngjesin e sotëm në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte i ftuar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjatë fjalës së tij kryebashkiaku Veliaj dha lajmin për hapjen e një qendre për fëmijët me spektrin autik dhe sindromën Down.

Ai bëri të ditur se trajtimet me psikologë, logopedë dhe fizioterapistë në shërbim të fëmijëve me aftësi ndryshe do të jenë falas.

Aldo: Ju keni nxjerrë idenë dhe për një qendër të re që do të ndërtohet autizmin dhe sindromën Down, çfarë është kjo?

Erion Veliaj: Një nga gjërat që ne kemi parë qoftë në aspektin ekonomik dhe social ky qytet po ecën shumë shpejt, por jo të gjithë po mbajnë të njëjtin ritëm. Kjo do të thotë për pjesën e ushqimit që disa po pasurohen shumë, por duhet të mendojmë për disa që ndoshta nuk ia kanë dalë kanë nevojë për një dorë. E njëjta gjë ndodh edhe në rastet e fëmijëve me spektrin autik dhe sindromën Down. Qyteti me 1 milionë banorë ka përqindjen e vet të rasteve që kanë nevojë për ndihmë. Si kryetar bashkie dhe si menaxheri i kësaj familjeje të madhe gjykoj fort që për këta engjëj të vegjël duhet të ketë një shërbim. Dhe ajo që më rezulton nga shumë prindër që flas është që shumë nga këto qendra private janë shumë të kushtueshme, pra heq një pjesë të madhe të buxhetit të familjes. Dhe them nëse ne kemi bërë një qendër ekselence si Piramida, ku kurset e teknologjisë janë falas, atëherë shumë mirë mund ta bëjmë këtë qendër. Kemi marrë një terren mbas Ambasadës Amerikane dhe kam porositur stafin që dua, siç Piramida është qendra më e madhe në Europë për arsimin digjital dhe është falas, unë dua që të gjithë engjëjt tanë të cilët kanë disa sfida në fëmijëri të ndihmohen me logopedë me fizioterapistë. Para 9 vitesh qyteti nuk i kishte këto mundësi, tani qyteti është pak më i pasur. Dhe gjykoj që trashëgimia që unë dua t’i lë këtij qyteti përveç kësaj infrastrukture, dua që të jetë një trashëgimi jo vetëm fizike, por edhe sociale dhe unë besoj se kjo trashëgimi sociale është diçka që qyteti e meriton po aq sa edhe infrastruktura fizike. Për shumë prindër që harxhojnë shumë kohë dhe financa besoj se kjo do të jetë një ndihmë shumë e madhe. Ka ardhur koha që qyteti të ketë një qendër ekselence për mjekët, logopedët dhe psikologët më të mirë dhe falas.

Aldo: Kjo në ndihmë të familjeve që nuk kanë mundësi, sepse është kosto.

Erion Veliaj: Patjetër sepse besoj jo vetëm që është kosto, por një prind i cili ka një situatë të tillë në familje privohet nga karriera e vet, nga koha e vet sepse merr shumë energji dhe gjykoj se është diçka drejtë që i ka ardhur koha./tvklan.al