Pjesëtarë dhe aktivistë të shoqërisë civile u mblodhën këtë të shtunë në sheshin ‘Skënderbe’ për të ndezur qirinj në nder të Arjan Salës.

“U kuptua nga familjarët që kishin ndjekur dinamikën e ngjarjes që ishin vonuar zjarrfikëset, por edhe kur erdhën s’kishin mjete. Ju keni parë ato makinat e bardha që lagnin njerëzit në protesta, pra këta kanë makina plot me ujë, supermoderne me të gjitha mjetet për të shpërndarë protestuesit, por nuk paskan zjarrfikëse dhe mjetet e duhura për të shpëtuar jetë njerëzish. Unë u lidha sot me aktivistët e tjerë dhe erdhëm këtu sot për të ndezur qirinj.”, u shpreh Avokati Goxhaj.

“Ne jemi mbledhur këtu për të bërë një homazh për një hero të thjeshtë, për Arjanin dhe t’iu japim një shuplakë qeveritarëve se si janë heronjtë. Heronjtë janë njerëz të thjeshtë. Ai aq kishte mundësi, aq bëri. U mundua të shpëtonte ata njerëz që ishin aty. Po këta që kanë një komb të tërë, çfarë bëjnë këta politikanë. Ky është një sensibilizim për këta njerëz që kanë në dorë shtetin të bëjnë diçka.”, u shpreh një aktivist i shoqërisë civile.

Faxweb.al