Në deklaratën për mediat Kryeministri Edi Rama ka hedhur kunja kundrejt kreut të opozitës Lulzim Basha.
Rama deklaroi Basha mund të mbesë peng mes treshes, Kryemadhi,Meta dhe Berisha e se ata kanë dalë nga binarët ndaj s’mund të imagjinohet që të marrin në dorë fatin e vendit.
“Një president që predikon katastrofën, një kryetar opozite që i ka varur shpresat te covidi, që të bëjë virusi atë që ia s’bën dot ai duke shkatërruar qeverinë, një tjetër që është në mes si aleate thotë shkoni në kisha e xhami, LSI nuk i afrohet virusi se ka frikë, gjëra që i përkasin një niveli që është qamet i madh.
Këto lloj qasjesh ti vësh në një estradë, duket një ekzagjerim i madh për vetë estradën. Dhe të mendosh që këta njerëz të marrin në dorë fatet e këtij vendi, financat. Imagjinoni vetëm për një moment Lulzim Bashën kryeministër, Kryemadhin ministre Finance dhe Metën ministër të Brendshëm.
Është qeveria e çiftit presidencial, Luli është thjesht dhëndri, që e nxjerrim përpara këta tre tjerët. Është goxha djalë, por kur e sheh se kë ka mbrapa o duhet shpëtuar, o duhet lënë ta hanë ata tre. Se i thonë ‘ne të mbajtëm për të shitur, por ti nuk qenke për t’u blerë’. Duhet të flasim dhe për këta individë të dalë nga binarët komplet, që na shfaqen përditë në formën e alternativës, taksirat, por do ta përballojmë.” u shpreh Rama.