Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se kreu i qeverisë Edi Rama është i trembur nga opozita pasi nuk e kontrollojnë dot më. “Janë të tmerruar, janë të trembur nga opozita që nuk e kontrollojnë dot më. Rama e ka të qartë si drita e diellit se në pushtet nuk mund të qëndrojë më”, tha Berisha.

Lideri demokrat u shpreh se nuk do të “rrëmbejmë armë të përleshemi me bandat”, por theksoi se do të përdorin çdo mjet të mosbindjes civile për të përmbysur Ramën.

“Nuk rrëmbejmë armë të përleshemi me bandat, por përdorim çdo mjet të mosbindjes civile për të përmbysur Ramën. Një kohë kthese reale”, shtoi ish-kryeministri.

Pjesë nga fjalimi i Berishës: 

Vij sot te ju për një bisedë në të cilën duhet të theksoj këto momente kryesore. Prej kohësh është përsëritur se PD është në një betejë për jetë dhe vdekje, në një betejë për ekzistencën e saj. Ne para pak ditësh kremtuam 33-vjetorin e themelimit të partisë.

Tani duhet të flasim haptas. Kjo parti, që përmbysi dhe ndau epoka dhe solli për shqiptarët epokën më të ndritur në tërë historinë e tyre, ka një trashëgimi të jashtëzakonshme. Por në qoftë se si njerëz që do u përmbahemi të vërtetave, duhet të pranojmë se ajo epokë që solli PD, ka marrë fund.

Ajo nuk ekziston më në parimet e saj të lirisë përveç tregut, ajo epokë nuk ekziston më në Shqipëri.
Sot, në Shqipëri është vendosur një monizëm më i fuqishëm, ua them me përgjegjësi të plotë, se ai që rrëzuam në vitin 1990-1991.

Sot, liritë politike të popullit opozitar janë absolutisht de facto të asgjësuara. Sot, çdo formë shteti që të pret liritë, është pushtim i brendshëm apo i jashtëm.

Dhe mund t’u them se në histori janë të rralla kombet që kanë përjetuar pushtime më të shumta se ne. Por asnjëri prej këtyre pushimeve nuk ka spastruar në 9 vite, 35 përqind të kombit shqiptar. Kurrë dhe asnjëherë.
Ju jeni nëna, motra, vajza, gjyshe, jeni kontributore kryesore në epokën që është mbyllur.
Me shumë të drejtë mund të shtroni pyetjen: po mirë, ju thoni se epoka që solli PD u mbyll. Çfarë mbetet për ne demokratët?

Gjithnjë do i përmbahemi të vërtetës.
Për ne demokratët mbeten vetëm dy gjëra. Mbetet trashëgimia jonë, thashë edhe njëherë, ne sollëm epokën më të ndritur në historinë e këtij kombi.

Por, ne sot këtu ku jemi, jemi para një vendimi të parë ose të dytë të jetës sonë. Të parë, për vajzat e reja që në vitet 1990 nuk kanë pas lindur akoma ndoshta, të dytë për ne të tjerët, që në vitin 1990 u ngritëm dhe rrëzuam diktaturën.

Pra, për të përmbysur këtë diktaturë.

Nuk ka asnjë dyshim për çdo njeri që ka gjykim politik se kjo është një diktaturë bande dhe të gjithë ata që kanë studiuar diktaturat, diktaturën e bandës e kanë cilësuar si më të keqen e diktaturave. Sepse në dallim nga diktaturat e tjera, që kanë ligje, kjo nuk ka ligje, por vetëm vullnet të një njeriu që bën gjithçka dhe merr çdo vendim.

Por për çfarë na duhet e shkuara jonë? Na duhet për reflektim për përgjegjësinë tonë për këtë që ka ndodhur.
Se kjo që ndodhi, ne përmbysëm diktaturën si luftëtarë lirie, si njerëz që dëshmuam se pasioni ynë kryesor është liria.

Por këto 10 vite, para syve tanë, liria u tret. Para syve tanë, institucionet demokratike u shpërbënë. Para syve tanë, të drejtat e qytetarëve tanë u shkelmuan. Para syve tanë, u arrestuan për çështje civile 22 mijë qytetarë. Para syve tanë, bandat rivendosën sundimin e tyre, që ne me duart e hekurta i përzumë. Para syve tanë, fëmijët tanë vetëm u larguan nga Shqipëria. Shqipëria u braktis.

Para syve tanë ndodhën të gjitha këto. Jo se ne na kishte lënë fuqia. Jo. Jo se ne nuk kishim pasion lirinë. Jo. Por në mënyrën më tragjike ne u tradhtuam.

Ne jemi sot opozitarët e kauzave të tradhtuara. Sepse ne nuk duhet të lejonim kurrë të ndodhnin këto. Ne kishim çdo fuqi për të mos lejuar instalimin e kësaj që është instaluar.