Abigela Voshtina do të jetë drejtuesja e re e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, shkruan newsbomb.al. Emri i saj është firmosur nga kryeministri Edi Rama, pas një gare ku morën pjesë dhe 6 kandidatë të tjerë përveç saj.
Në platformën e saj, violinistja Abigela Voshtina, i mëshonte ndër të tjera mungesës së një sezoni dy-vjeçar të Operas, si dhe bashkëpunimit edhe me Bashkinë e Tiranës. Në fakt, Voshtina ka qenë Drejtoreshë Artistike e TKOB, dhe ishin vetë artistët e Orkestrës Simfonike të TKOB që kanë dashur largimin e saj në 2017-ën.
Ata kanë bërë edhe një peticion ku e akuzonin për përdorim të postit për përfitime personale, shkelje të rregullores, probleme komunikimi etj. Por kreu i qeverisë shqiptare ka hedhur firmën për Abigela Voshtinën, duke e bërë atë drejtoreshë të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Arben Skënderi, Abigela Voshtina, Tomorr Kokona, Adela Muçollari, Josif Gjipali, Zana Çela dhe Kleanthi Gjika ishin emrat që garonin për postin e rëndësishëm. Komisioni për Vlerësimin e Kandidaturave ka zgjedhur dy emra dhe ja ka propozuar kryeministrit Rama.