Nga Kosova, kryeministri Edi Rama foli për çështjen e Ballkanit të Hapur, për të cilin u shpreh se me këtë ide, secili do ta merrte atë që i takon.

Në fjalën e tij gjatë vizitës në një biznes në Kosovë, ai tha se Ballkani i Hapur nuk mund të trajtohet si instrument që do ta marrë Serbia tregun.

Ai theksoi se Ballkani i Hapur krijon hapësira për të gjithë dhe zgjeron frymëmarrjen ekonomike.

”Është shumë për të qeshur dhe për të qarë kur Ballkanin e Hapur, e trajtojnë si një instrument që do marri Serbia tregun. Por, po të shikosh volumin tregtar të Serbisë, rritjen më të madhe e ka këtu. Pavarësisht gjithë pengesave, problemeve dhe gjithë marrëdhënieve që janë dhe në këtë rast përgjegjësia është në anën e Serbisë është në anën e Kosovës. Praktikisht volumi më i madh tregtar është këtu dhe rritja më e madhe është këtu dhe rritja me e  madhe eshte ketu.

Pra, nuk është çështja se Ballkani i Hapur do bëjë ndonjë gjë tjetër përveç se do krijojë hapësirë shumë më të madhe për të gjithë. Do të zgjerojë shumë me tepër frymëmarrjen e ekonomike për të gjithë, dhe secili do të marri pjesën e vet të asaj që i takon. Ti nuk mund të nisesh si e si të pengosh tjetrin, pavarësisht se për vete mund të vuash shumë më tepër. Ti duhet të nisesh si e si të fitosh për vendin tënd, pastaj të tjerët të fitojnë pjesën e tyre. Kjo nuk është diçka që duhet ta pengosh, apo që do duhej të ishte shqetësimi yt fare. Sa më mirë të jenë ekonomikisht fqinjët, aq më mirë shkojnë punët edhe në drejtimin politik”, tha Rama.