Kryeministri Edi Rama ka folur pas mbledhjes së Asamblesë së PS për Kongresin e 9 prillit. Ai tha se do jetë një kongres në një kontekst të jashtëzakonshëm për shkak të kohës që jetojmë, me një format të ri, në funksion të një hapjeje të gjerë, të një adresimi të atyre që janë çështjet më të rëndësishme të këtij momenti të vështirë.
“Sapo kemi mbaruar një mbledhje të Asamblesë Kombëtare në vigjilje të Kongresit të PS-së dhe do të jetë një kongres ndryshe nga më të mëparshmit, në një kontekst të jashtëzakonshëm për shkak të kohës që jetojmë, me një format të ri, në funksion të një hapjeje të gjerë, të një adresimi të atyre që janë çështjet më të rëndësishme të këtij momenti të vështirë.
Sigurisht që do të kemi jo vetëm ata që do të flasin në emër të lidershipit të partisë, por do të kemi të gjitha disponimin dhe po bëjmë atë që duhet për të pasur të ftuar që të përfshihen në debatet tona, në kërkim të një gjallërimi të debatit jo vetëm brenda familjes sonë politike, por të rigjallërimit të debatit të shëndetshëm me një frymë të shëndetshme kritike dhe vetëkritike në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të vetvetes sepse problemi më i madh është vetvetja, pasi kundërshtarët janë bërë një problem që të paktën për momentin nuk ekziston”, tha Rama.