Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot mbrëmjen tradicionale të fundvitit me pëfaqësuesit e trupit diplomatik të huaj në vendin tonë.

Rama ka renditur disa nga sukseset që Shqipëria ka arritur sipas tij në arenën ndërkombëtare, nga çelja e negociatave për anëtarësim në BE, te përfaqësimi në nivelet më të larta në OKB dhe organizimi i Samitit të BE-së në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij përballë ambasadorëve të huaj, Rama ka përmendur edhe situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë, duke insistuar se dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Kërkesën e Serbisë për të çuar trupa në Kosovë, Rama e ka quajtur surreale, duke thënë se është njësoj sikur Kosova të kërkojë dërgimin e trupave në jug të Serbisë, për mbrojtjen e popullatës shqiptare aty.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Kush mund ta mendonte që Shqipëria do të qëndronte aty lart, duke debatuar, kush e mendonte që Shqipëria do të ishte vendi i parë organizator i samitit të BE. Dukeshin fantazi, por janë realitet. Dhe jemi këtu për të festuar edhe një përvjetor tjetër. Shqipëria u bë pjesë e OKB si sot në këtë ditë. Të mos harrojmë nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Falë këtyre arritjeve, Shqipëria është më pranë të ardhmes, shpirtrat që mundohen të na tmerrojnë, ngjajnë si pjesë e së kaluarës. Jemi krenarë dhe të lumtur të na jetë kërkuar nga Gjermania të organizojmë samitin e Berlinit vitin tjetër. Do të organizojmë një samit të paharrueshëm të procesit të Berlinit. E di, të gjithë e dimë, nuk është një fund i mirë i vitit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Më së fundmi kemi dëgjuar edhe për kërkesa të bëra ndaj NATO-s, për të çuar trupa serbe në Kosovë, kjo mund të jetë një deklaratë për konsum të brendshëm por është aq surreale sa të ishte Kosova që të kërkonte dërgimin e trupave në Jug të Serbisë. Jemi në dekadën e tretë të çlirimit të Kosovës nga Beogradi, nuk do të jetë më kurrë nën Beogradin. Ajo që duhet janë tre çështje, dialog, dialog, dialog. E di që është e vështirë. Nuk zgjodhëm të jetojmë në këtë lagje të trazuar të Ballkanit. Nuk ka asnjë vend tjetër në planet për ta transferuar vendin tonë. As fqinjët nuk i zëvendësojmë dot. Duhet ta mbajmë lidhjen botërore ruse jashtë këtij rajoni. Nuk kemi asnjë dyshim se ndërtimi i urave të bashkëpunimit me Serbinë është diçka që promovon paqe në rajon, ku fantazmat e së shkuarës janë gjithmonë gati për luftë.