Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama ka shpallur krijimin e disa komisioneve të reja parlamentare, që synojnë të riorganizojnë punën e Kuvendit në funksion të prioriteteve kombëtare dhe integrimit evropian

Në fjalën e tij, Rama propozoi një ndarje të balancuar të drejtimit të komisioneve, duke sugjeruar që disa prej tyre t’i kalojnë opozitës, ndërsa të tjerat do të mbeten nën drejtimin e Partisë Socialiste.

Disa nga komisionet e reja dhe drejtimi politik për secilin:

1. Komisioni për Shkencën, Edukimin dhe Inovacionin, sugjerohet të drejtohet nga opozita

Ky komision do të përqendrohet në zhvillimin e sistemit arsimor, promovimin e kërkimit shkencor dhe nxitjen e inovacionit teknologjik si pjesë e përgatitjes së vendit për standardet e BE-së.

2. Komisioni për Mirëqenien Sociale dhe Shëndetësinë, sugjerohet të drejtohet nga opozita

I konceptuar për të ndjekur politika që përmirësojnë cilësinë e jetës, përfshirjen sociale dhe shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët.

3. Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Informimin Publik, sugjerohet të drejtohet nga opozita

Komisioni ka një rol të posaçëm në garantimin e lirive themelore, lirisë së shprehjes dhe transparencës mediatike, në përputhje me Kartën Themelore të të Drejtave të Bashkimit Evropian.

“Ky komision lidhet drejtpërdrejt me profilin e Shqipërisë 2030 në BE, ku informimi publik dhe mbrojtja e të drejtave janë thelbësore,” tha Rama.

4. Komisioni për Punësimin dhe Financat, sugjerohet drejtohet nga shumica parlamentare

“Qëllimi është që punësimi të shihet si përbërje thelbësore e organizmit të ekonomisë, në përputhje me kapitujt 2 dhe 19 të negociatave për anëtarësim në BE,” deklaroi Rama.

5. Komisioni për Legjislacionin dhe Administratën Publik, sugjerohet drejtohet nga shumica parlamentare

Ky komision do të mbajë barrën e shqyrtimit të një sërë reformash ligjore dhe administrative.

“Kuvendi do të ketë një rol kyç në hedhjen e hapave për reformën e administratës publike, që është një nga shtyllat e integrimit dhe shtetbërjes,” shtoi Rama.