Kryeministri Rama do të udhëtojë këtë të mërkurë drejt Londrës, atje ku do të qëndrojë 3 ditë në një vizitë zyrtare. Ai do të pritet nga homologu Rishi Sunak, me të cilin do të takohet për herë të parë.
Të dy krerët e qeverive kanë pasur më herët një bisedë telefonike për cështjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë, si dhe kanë shkëmbyer replika përmes mediave ndërkombëtare.
Ministrat britanikë i quajtën shqiptarët kriminelë, ndërsa qeveria jonë e dënoi gjuhën e përdorur nga Londra zyrtare, duke i dërguar dhe një notë verbale përmes ambasadorit.
Rama e kishte quajtur diskutimin në parlamentin anglez si një dështim i brendshëm i qeverisë për të menaxhuar kufijtë e saj, ndërsa britanikët publikonin shifra duke thënë se shqiptarët kryesonin listën e atyre që futeshin në ishull me varka të vola e gomone përmes tunelit të Lamanshit.
Tashmë Rama e Sunak do të takohen sy më sy për të folur për politikat britanike të kthimit të emigrantëve të paligjshëm dhe zbatimin e një marrëveshjeje dy palëshe për riatdhesimin e tyre.
Lufta e përbashkët në luftimin e krimit të organizuar do të jetë pjesë e bisedimeve, teksa si në cdo rast, do të diskutohet forcimi i shkëmbimeve ekonomike dhe mbështetja në politikën e jashtme./abcnews.al