Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë të shkurtër me presidentin amerikan, Joe Biden, gjatë samitit të NATO-s, i cili po mbahet në Spanjë.
Kryeministria ka publikuar pamje, ku Rama duket teksa flet me Biden, por nuk janë bërë të ditura detaje.
Kryeministri së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në Samit do të mirëpriten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s z. Jens Stoltenberg dhe Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez. Në vijim, Kryeministri Rama do të ndjekë seancën plenare të Samitit, ku të pranishëm do të jenë edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Përballemi me sfidën më të madhe që prej Luftës së Dytë Botërore”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë fjalës së tij në nisje të atij që e cilësoi një samit historik dhe transformues në Madrid. Rusia, tha ai, përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë, dhe shpresoj që shtetet anëtare të shprehen qartë lidhur më këtë.
Plani i ri strategjik i aleancës, sipas Stoltenberg, do të reflektojë edhe një realitet të ri lidhur me Kinën. Shefi i NATO-s tha se nuk e konsideron Pekinin si kundërshtar, por pret që aleatët të pajtohen se ajo është një sfidë për vlerat dhe interesat e tyre.
Një ditë para nisjes zyrtare të punimeve, Turqia hoqi veton për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, pas kundërshtimit fillestar që dy vendet t’i bashkoheshin aleancës ushtarake. Ministrat e Jashtëm të tri vendeve firmosën në Madrid një marrëveshje ku angazhohen të mbrojnë sigurinë e njëri-tjetrit, duke i dhënë fund kështu dramës disajavore që testoi unitetin e aleatëve kundër luftës ruse ne Ukrainë.
Nënshkrimi u bë në prani të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe Kryeministres suedeze Margaret Andersson, pas një takimi që zgjati katër orë.
Marrëveshja adreson shqetësimet e Ankarasë me Suedinë që ka pranuar të intensifikojë punën lidhur me kërkesat e Turqisë për ekstradimin e militantëve të dyshuar. Dy vendet do të heqin gjithashtu embargon ndaj shitjes se armëve për Turqinë.
“Jam i lumtur të njoftoj se tani kemi një marrëveshje që i hap rrugën anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO. Turqia, Finlanda dhe Suedia nënshkruan një memorandum që adreson shqetësimet e Ankarasë përfshirë eksportin e armëve dhe luftën kundër terrorizmit”, tha Stoltenberg.
Turqia vuri veton ndaj ambicieve të dy vendeve nordike pasi i akuzonte për strehimin e militantëve kurdë, dhe ishte e zemëruar për embargon ndaj shitjes së armëve. Shtetet e tjera anëtare të cilat mbështesnin plotësisht kërkesën e Stokholmit dhe Helsinkit lobuan për javë me radhë që pengesa turke të shembej.
Presidenti finlandez Sauli Niisto tha se tri vendet ishin angazhuar për të zgjeruar mbështetjen kundër kërcënimeve të sigurisë së njëri-tjetrit. Kryeministrja suedeze, Anderson e cilësoi këtë një hap shumë të rëndësishëm për NATO-n, ndërsa zyra e presidentit turk tha se vendi kishte marrë gjithçka që kërkonte nga Suedia dhe Finlanda.