Është firmosur marrëveshja për blerjen e flotës së dronëve Bajraktar, teknologjia më e lartë e fluturimeve për misione ushtarake, policore dhe civile.

Sipas Kryeministrisë këto dronë do të jenë në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile dhe mbrojtjes së territorit.

Ndërkohë, në fjalën e tij kryeministri Rama falenderoi presidentin e Turqisë dhe tha se në vendin tonë po vjen teknologjia më e mirë dhe një set njohurish.  

Rama: Jam i lumtur sot dhe ndërkohë dua t’ia nis me një falenderim për Erdoganin i cili ka qenë shumë i rëndësishëm në këtë proces. Kur bëhet fjala për dronët, nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit e parave, por të jesh i aftë që kalosh radhën e gjatë. Ne jemi shumë krenarë që së bashku me Turqinë jemi nga ana e duhur në aleancën më të madhe ushtarake, NATO.

Kjo është një ditë shumë e mirë për forcat tona të armatosura dhe për miqësinë me Turqinë. Kjo është një marrëdhënie që po bëhet gjithmonë më e mirë. Me këtë marrëveshje nuk po sjellim këtu teknologjinë më të mirë, por gjithashtu po sjellim një fushë të re njohurish. Marrëveshja nuk është vetëm për dronët, por edhe për ndërtimin e një ure mes forcave tona dhe kompanisë Bajraktar.