Kryeministri Edi Rama theksoi se nuk është e nevojshme për një hetim ndërmombëtar për të marrë disa masa ndaj Serbisë për sulmin në veri të Kosovës. Sipas tij, vrasja e efektivit policor dhe heroizmi i terroristëve nga ana e Serbisë është e mjaftueshme për të ndërmarrë disa masa ndëshkuese ndaj saj.
Për kreun e qeverisë shqiptare, hetimi ndërkombëtar lidhur me këtë ngjarje mund të sjellë ndonjë element plus por ndëshkimi ndaj Serbisë duhet të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që edhe procesi i dialogut të vijojë në proces të drejtë, të shkojë përpara dhe të mos dështojë.
“Shumë mirë të bëhet, që në fund fare mund të japë, me gjasë edhe ndonjë element më shumë. Por ndërkohë, pa pasur nevojë për një hetim ndërkombëtar kemi faktin që nënvizuam së bashku, kemi krimin, vrasjen e një efektivi të policisë dhe heroizimin e atyre që morën pjesë në vrasje dhe në aspektin kriminalistik policor. Hetimi ndërkombëtar mbase sjell dhe ndonjë element plus por në aspektin politik dhe të qëndrimit të një shteti, në raport me disa norma dhe vlera të patjetërsueshme të kësaj Evrope të cilës i përkasim dhe në të cilën duam të jemi të gjithë një familje, kjo është qartësisht e mjaftueshme, që minimalisht ato masa të cilat komisioni mund të marrë pa nevojën e konsensusit të të gjithë vendeve anëtare, të ishin marrë menjëherë. Dhe duhet të merren pa humbur kohë sepse është në lojë një gjë shumë më e madhe se kaq, fati i një procesi që kërkon në radhë të parë një qëndrim të vijueshëm të drejtë dhe padiskutim, të shpejtë të vetë BE që është edhe ura e gjithë dialogut që në asnjë mënyrë nuk duhet të dështojë dhe të shkojë përpara. Kështu që nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar për të hedhur këto hapa.“, tha Rama./abcnews.al