“Unë nuk kam ndërmend të iki!”

Edi Rama thotë se ua ka lënë në dorë shqiptarëve të vendosin me votë ditën kur do të largohet nga qeverisja, ndërsa kërkon mbështetje për Partinë Socialiste në zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Do të vijë dhe dita ime për tu larguar por ajo ditë do të vijë kur ne të vendosim bashkarisht. Ata nuk e vendosin dot atë ditë.”

Nga Belshi e Cërriku, që ishin ndalesat e para të turit në qarkun e Elbasanit këtë të hënë, kërkoi vazhdimësi në qeverisjen vendore, ndërsa akuzoi rivalët.

“Nuk kanë bërë asgjë në të shkuarën, madje kanë bërë më shumë dëm sesa punë dhe mbi të gjitha vijnë jo për të bërë më shumë punë por për të marrë peng bashkitë ku të munden dhe për ti kthyer në kështjella të luftës politike me qeverinë.”

Nuk munguan as premtimet për investime të reja në qarkun e Elbasanit.

“Bukuri të mahnitshme, ptencial i mahnitshëm që më besoni vetëm sa kemi filluar ta vëmë në punë. Dua dhe do të bëj çmos me Arifin që Belshi të bëhet shembulli i ndërmarrjes së re bujqësore.”

Në mbjelljen e pemëve në Belsh, kryesocialisti kishte pranë një vajzë të kthyer nga Gjermania, përmes të cilës përcolli një mesazh.

“Atje diell jo, kafe për qejf jo, shtëpinë tënde jo. Ndërkohë këtu me kursimet atje mund të bëni një investim të vogël për të bërë një bujtinë dhe fitoni më shumë sesa atje.”