Kryeministri Edi Rama ka pasur sot një takim me punonjësit e sigurisë, me të cilët ka diskutuar në lidhje me planin për rritjen e pagave dhe në këtë sektor.
Rama tha se qeveria është e vetëdijshme se sistemi i sigurisë meriton më shumë vëmendje.
“Jemi në kushtet që mund të bëjmë një rritje pagash të konsiderueshme, është rritja më e madhe historike e pagave, me këtë rast dua tju them të gjithëve se të gjithë punonjësit e policisë, përfshirë sektorin e burgjeve, kanë merituar dhe meritojnë më shumë.
Nuk e kemi vënë në dyshim që ajo që kemi bërë nuk është e mjaftueshme, por shpenzimet në një shtëpi varen nga mundësitë, dhe një shtëpi që nuk do të zhytet në borxhe. Ju keni dëgjuar nëpër sektorët e tjerë, rritja do të bëhet me dy hapa, një pjesë tani, dhe një pjesë në harkun kohor të një viti.
Rritja e menjëhershme e pagave, që do të bëhet tani, ku do të përfitojnë më shumë se 15 mijë punonjës, do të jetë pak a shumë si vijon:
Paga e çdo niveli nuk është njësoj për të gjithë, sepse ka vjetërsi pune dhe disa kushte të tjera. Sot paga e drejtuesit madhor do të rritet me 48 mijë lekë më shumë. Paga për drejtuesin poshtë drejtuesit madhor shtohet me 24 mijë lekë, për komisarin shtohet me 21 mijë lekë, për inspektorin e parë shtohen me 20 mijë lekë.
Edhe për burgjet është një rritje e ngjashme. Për drejtuesin e burgjeve paga shkon në 187 500. Drejtuesi më poshtë 137 000. Komisari 112 500 lekë.. Inspektori i parë shkon në 97 500.
Po ashtu kemi rritjen e pagës për punonjësit e zjarrfikësve. Të gjitha këto rritje janë mesatarisht 20 mijë lekë në muaj. Vazhdojmë me nivelin e dytë, të gjitha kategoritë e mësipërme për të gjithë sistemin do të rriten sërish në Prillin e ardhshëm.
Kjo rritje uroj dhe besoj që nuk do të jetë e fundit”, tha Rama.