Një 32 vjeçar nga Tirana është arrestuar nga shërbimet e Policisë në Fushë Krujë, pasi po transportonte emigrantë të paligjshëm. Kundrejt fitimit, i riu do t’i nxirrte sirianët nga territori shqiptar dhe për këtë po përdorte makinën “Range Rover”.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Luzi”.
Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin Luz, Fushë Krujë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. H., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Në automjetin që po drejtonte ky shtetas ishin pasagjerë 6 emigrantë të paligjshëm, të cilët 32-vjeçari po i ndihmonte, kundrejt fitimit, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, me destinacion final një nga vendet e BE-së”, njofton Policia e Durrësit.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme