Claudio Ranieri nuk do të jetë trajneri i ardhshëm i Kombëtares italiane.
Pas shkarkimit të Luciano Spallettit dhe ndeshjes së fundit nën drejtimin e tij, fitorja modeste 2-0 ndaj Moldavisë dje, Gravina dhe FIGC kishin shpresuar se do ta bindnin ish-trajnerin e Romës.
Ranieri e mendoi, e vlerësoi me kujdes, por në fund refuzoi ofertën, thekson media italiane.
Prioriteti i tij është të përqendrohet te marrëveshja e ndërtuar prej kohësh me familjen Friedkin dhe klubin Roma. Dhe në FIGC rifillon kërkimi për një trajner të ri.
Emri i Claudio Ranierit kishte dalë në krye të listës së preferuarve pas një tjetër paraqitjeje të tmerrshme të skuadrës së drejtuar nga Spalletti, atë në Oslo.
Duke bërë një bilanc, e gjithë eksperienca “azzurre” e ish-trajnerit të Napolit dhe Romës nuk ka qenë veçanërisht pozitive.
Debutoi me një barazim të trishtuar 1-1 kundër Maqedonisë së Veriut, më pas disa sinjale të lehta përmirësimi për të siguruar kualifikimin në Euro 2024 (jo pa ankth në garën për vendin me Ukrainën) dhe një sërë miqësoresh të paqarta.
Debutimi fitues (por aspak bindës) kundër Shqipërisë, humbjet e thella nga Spanja, barazimi në minutën e 98-të kundër Kroacisë dhe eliminimi në 1/8 e finales – si kampionë në fuqi – nga Zvicra.
Në Nations League pati një rikuperim falë fitoreve të rëndësishme kundër Francës dhe Belgjikës, por edhe aty vetëm vendi i dytë që solli më pas humbjen në “playoff” kundër Gjermanisë dhe situatën aktuale.
Por një trajner duhet të gjendet shpejt. Pioli do të jetë lëvizja e parë, por në këto orë të gjitha zgjidhjet janë të mundshme, duke filluar me De Rossin, i cili kryeson patrullën e trajnerëve me një të kaluar si kampionë bote, si Cannavaro dhe Gattuso.