Tensionet gjeopolitike mund të shkaktojnë rritje të mëtejshme të inflacionit, probleme në zinxhirët e furnizimit dhe turbullira në tregjet financiare, dhe të gjitha këto mund të zbehin akoma më shumë perspektivat e rritjes ekonomike të Shqipërisë, lajmëroi sot Banka Botërore në Raportin e fundit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot.
Ndërkohë që qeveria po planifikon të vijojë me konsolidimin fiskal, kostot më të rritura në ofrimin e shërbimeve publike mund të krijojnë presione shtesë në rritjen ekonomike, pasi për të garantuar furnizimin me energji nga importet mund të nevojiten më shumë shpenzime.
“Në periudhën afatmesme, ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme më të ngadalta, në nivele të ngjashme të rritjes me ato para pandemisë”, tha Emanuel Salinas, Menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë. “Këto parashikime varen nga rimëkëmbja e ekonomisë botërore, reformat strukturore të Shqipërisë, si dhe vazhdimi i rrugës së konsolidimit fiskal”.
Në mënyrë të ngjashme me Shqipërinë, performanca e ekonomive të tjera të Ballkanit Perëndimor vijon të ndikohet nga tensionet globale, të cilat po krijojnë probleme të konsiderueshme për rajonin.
“Ndërsa rritja ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2022 rezultoi relativisht e fortë, është e qartë se rajoni tashmë po përballet me një situatë të vështirë,” tha Sanja Madzarevic-Sujster, Ekonomiste e Lartë e Bankës Botërore dhe një nga autorët kryesorë të raportit.
“Perspektiva e rajonit po rëndohet ndjeshëm nga një kombinim i goditjeve. Kushtet më të shtrënguara të financimit në tregjet ndërkombëtarë, ngadalësimi i kërkesës së brendshme dhe të jashtme, si dhe dobësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit sigurisht që do të kenë ndikim në sektorin financiar të rajonit.”
I gjendur përballë goditjeve aktuale, Ballkani Perëndimor duhet t’i japë përparësi politikave mbështetëse për shtresat e cenueshme, duke siguruar që masat të jenë të fokusuara dhe të kufizuara në kohë me qëllim minimizimin e rreziqeve fiskale. Rajoni duhet t’i japë gjithashtu përparësi dhe reformave që nxisin rritjen ekonomike në periudhë afatmesme, dhe me kosto të kufizuar fiskale.
Sipas raportit, reforma të tilla do të përfshinin masa për rritjen e nivelit të konkurrencës në treg, heqjen e barrierave të hyrjes në treg për biznesin, nxitjen e mbajtjes së investitorëve të huaj ekzistues dhe riinvestimeve të tyre, zvogëlimin e barrierave për pjesëmarrjen e femrave në forcën e punës, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe rritjen e standardeve të qeverisjes, përfshirë dixhitalizimin.
Kriza aktuale thekson gjithashtu rëndësinë e përshpejtimit të tranzicionit të gjelbër në rajon për kalimin nga përdorimi i hidrokarbureve të paqëndrueshme drejt prodhimit më të pastër të energjisë elektrike, si dhe drejt modeleve më të gjelbërta të prodhimit dhe konsumit, thuhet në raport.
Përballë goditjeve aktuale, Shqipëria ka nevojë për politika dhe reforma që nxisin rritjen ekonomike
Lufta që po zhvillohet në Ukrainë dhe pasojat e saj në rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë dhe ngadalësimin e rritjes së ekonomisë botërore ka gjasa të kufizojnë ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë. Pas rritjes së fuqishme të PBB-së në vitin 2021, rritja ekonomike e vendit parashikohet të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2022,
Ekonomia e Shqipërisë u rrit me 6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022, e nxitur nga konsumi privat, eksportet dhe investimet. Tregu i punës shënoi përmirësim dhe papunësia ra në 11.3 për qind. Pas reduktimit të ndjeshëm në vitin 2021, varfëria pritet të vijojë trajektoren rënëse, por presionet rritëse inflacioniste do të ngadalësojnë progresin e arritur kohët e fundit.
MONITOR